1 shkurt 2022 - Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës z. Kreshnik Ahmeti ka pritur në takim presidentin e organizatës Rotary International Dr. Shekhar Mehta.
Duke i uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, zëvendësministri ka prezantuar të arriturat e vendit në fusha të ndryshme si dhe për planet zhvillimore në të ardhmen.
Ndërkaq Dr. Mehta ka folur për aktivitetet e Rotary në botë si një rrjet global i 1.2 milion anëtarëve të cilët bashkohen dhe ndërmarrin veprime për të krijuar ndryshime të qëndrueshme. Duke qenë se Dr. Mehta është indian, është folur edhe për aspektin e marrëdhënieve bilaterale me këtë shtet të respektuar dhe të rëndësishëm kur edhe është përmendur kontributi i Nënës Terezë në të gjithë globin.
Për veprimtarinë e Rotary-t në Kosovë, është nënvizuar se ka ndihmuar spitale, shkolla, institucione të ndryshme, ka sjellë ujë të pastër anembanë vendit, ka mbështetur të rinjtë për shkollim, ka shëruar mbi 250 fëmijë të Kosovës me probleme në zemër, ka vepruar për ambient të pastër, dhe po ashtu vetëdijesim për rëndësinë e shërbimit ndaj komunitetit. Dr. Mehta ka përmendur mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe veprimeve që Rotary mund ti ndërmarrë në të ardhmen duke nënvizuar projekte konkrete në fusha si arsimi, shëndetësia dhe paqja apo menaxhimi i konflikteve.
Në këtë takim presidentin e Rotary-t e shoqëruan bashkëshortja e tij znj. Rashi Mehta, Presidenti i Rotary Përfaqësues për Kosovë dhe Shqipëri z. Radu Popescu, Kryetarja e Këshillit Rotarian në Kosovë znj. Fleta Baraku, Sekretari i Këshillit Rotarian në Kosovë z. Ismajl Baftjari dhe Anëtari i Këshillit Rotarian në Kosovë z. Ardian Hoxha.
Në anën tjetër, Zëvendësministrin Ahmeti e shoqëruan Këshilltari-Zyrtari i lartë për trajnim dhe zhvillim z. Enis Xhemaili dhe Udhëheqësi i Divizionit të Personelit z. Vigan Berisha, që të dy rotarianë.
Të gjithë pjesëmarrësit njëzëri u angazhuan që të përcjellin çështjet e diskutuara në takim që ato të realizohen në të ardhmen. Takimi u përmbyll me dhurimin e një dhurate me karakteristika të Rotary nga Dr. Mehta për Zëvendësministrin Ahmeti.