4590 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Republika e Kosovës i bashkëngjitet SHBA-ve dhe Evropës në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

25 shkurt 2022 - Republika e Kosovës i bashkangjitet vendimeve sanksionuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, duke miratuar një sërë sanksionesh ekonomike dhe financiare ndaj Rusisë, pas invadimit që ky shtet i bëri Ukrainës.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Donika Gërvalla sot në mbledhjen e Qeverisë ka prezantuar dhe ka kërkuar miratimin e kabinetit qeveritar, për listën e sanksioneve ekonomike dhe financiare të përcaktuara nga BE dhe SHBA-të ndaj shtetit të Rusisë.

“Pas agresionit të djeshëm ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Rusia, i cili u dënua ashpër nga krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe marrë parasysh shkeljet flagrante të të drejtës ndërkombëtare, të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga Rusia si dhe sulmin mbi sigurinë dhe paqen globale, është më se e rëndësishme që edhe Kosova t’u bashkohet shteteve demokratike në ndërmarrjen e veprimeve dhe masave që ndëshkojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke përfshirë shqiptimin e sanksioneve, masave dhe veprimeve të tjera. “ është shprehur ministrja Gërvalla në mbledhjen e qeverisë.

Gërvalla ka bërë të ditur gjithashtu se sanksione do të ketë edhe ndaj një grupi individësh nga Bjellorusia.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës propozon për shqyrtim dhe miratim vendimin për zbatimin e të gjitha Sanksioneve ekonomike dhe financiare, të përcaktuara nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani ndaj Rusisë, por edhe ndaj disa individëve nga Bjellorusia për rolin e tyre në lehtësimin e sulmit rus ndaj Ukrainës. Pothuajse të gjitha sanksionet deri më tani janë miratuar në një koordinim intensiv dhe të plotë në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë, në përpjekje për ta kundërshtuar fuqimisht luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë.”  ka thënë shefja e diplomacisë kosovare.

Propozimi i ministres Gërvalla është aprovuar me votim unanim nga kabineti qeveritar.

Sanksionet në pyetje përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i qasjes së tyre në tregje financiare, dhe masa tjera restriktive që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për invazionin rus në Ukrainë.

Individët gjithashtu do t’i nënshtrohen ndalimit të udhëtimit apo tranzitit në vende që i zbatojnë këto sanksione.

Kryediplomatja Gërvalla ka shtuar gjithashtu se, ‘marrja e një vendimi të tillë do të kontribuoj në vazhdimësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë në mbrojtjen e vlerave të përbashkëta demokratike dhe në ruajtjen e plotë të zbatueshmërisë së ligjeve dhe konventave evropiane dhe ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, duke pasur parasysh kushtetutshmërinë dhe bazën ligjore të Kosovës.

Foto Galeria