4602 - Single_lajmi | Ministria e Puneve te Jashtme
MPJ
  • SHARE
  • PRINT

Kosova pezullon përkohësisht vizat për qytetarët e Ukrainës

9 mars 2022 - Me kërkesën e ministres së Punëve  të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, znj.Donika Gërvalla-Schwarz, kabineti qeveritar ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të regjimit të vizave hyrëse ndaj shtetasve të Ukrainës që do të hyjnë në Republikën e Kosovës.

Kërkesa e ministres Gërvalla-Schwarz, vjen si rrjedhojë e situatës së krijuar në Ukrainë, pas agresionit ushtarak dhe vazhdimit të invazionit nga Federata Ruse.

“Bazuar në gjendjen e krijuar, kërkojmë që ta vlerësoni mundësinë që, për arsye humanitare, Qeveria e Republikës së Kosovës ta pezullojë përkohësisht regjimin e vizave për shtetasit e Ukrainës”, është shprehur Gërvalla-Schwarz në mbledhjen e qeverisë.

Shefja e diplomacisë ka thënë se ky vendim do të lehtësoj sadopak gjendjen e qytetarëve të Ukrainës të cilët po detyrohen të largohen nga shteti i tyre.

“Duke iu referuar situatës së krijuar në Ukrainë, pas agresionit ushtarak të Federatës Ruse, konsiderojmë se pezullimi i regjimit të vizave ndaj shtetasve ukrainasë do të kontribuonte pozitivisht në hyrjen ose kalimin e tyre transit në territorin e Republikës së Kosovës.” ka thënë ministrja Gërvalla-Schwarz.

Ditë më parë me inicimin e MPJD-së, qeveria ka ndarë mjete financiare edhe për strehimin e 20 gazetarëve ukrainasë.

Gjithashtu Kosova i është bashkëngjitur të gjitha vendimeve sanksionuese që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë vendosur Federatës Ruse.

Foto Galeria