Prishtinë, 27 maj 2022 - Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Znj. Liza Gashi, ka marrë pjesë sot në hapjen e Forumit të Bizneseve të Diasporës, ku ishin të pranishëm rreth 120 biznese nga diaspora dhe rreth 100 të tjerë nga Kosova.
Ceremonia e hapjes së Forumit është bërë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës Z. Albin Kurti, dhe prezent ishin edhe Ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë Znj. Rozeta Hajdari, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Z. Përparim Rama, kryetari i nderit i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, Z. Lazim Destani, kryetari i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Austri, Z. Yll Blakaj, drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Znj. Zeinah Salahi, si dhe bashkë-drejtuesit e organizatës GERMIN, Znj. Sihana Bejtullahu dhe Z. Lirim Krasniqi.
Kryeministri Kurti në fjalën e tij para të pranishmeve ka thënë që potencialet investuese si dhe arritjet e interesat ekonomike i ka prezantuar gjatë vizitës dy-javore në SHBA si dhe në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Kryeministri Kurti ka theksuar që viti 2021 ka qenë vit i zhvillimit ekonomik të Kosovës, pasi që kemi pasur rritje ekonomike prej 10.53%, rritje eksportesh prej 83.6%, rritje në investime të huaja direkte prej 21%, ngritje në pagesa tatimesh prej 30%, pa ndryshuar politikat fiskale, dhe rritje të hyrash të Doganës prej 31%, ndërsa janë krijuar rreth 25,000 vende të reja pune.
“Popullsia e re dhe profesionale, e cila flet gjuhë të huaja rrjedhshëm, është teknologjikisht e përparuar, dhe ka qasjen më të lartë rajonale në internet, kosto të ulët, na bën konkurrentë si fuqi punëtore”, tha kryeministri.
Ky forum synon që përmes rrjetëzimit, të lidhen partneritete bashkëpunimi, të investimeve të reja dhe të eksportit ndërmjet bizneseve të Kosovës dhe atyre të diasporës.
Zëvendësministrja Gashi morri pjesë në këtë Forum pas shoqërimit të delegacionit qeveritar në SHBA, ku takuan biznese të mëdha si dhe zhvilluan takime e bashkëbisedime me diasporën shqiptare në Amerikë. Gjatë kësaj vizite, ndër të tjera, u ftuan biznese të mëdha që të investojnë në Republikën e Kosovës si dhe u bisedua se si të angazhohet kapitali truror i mërgatës shqiptare në zhvillimin e Kosovës.